Press Release - ekonomia, March 25, 2009

Narta, drejt një qyteze turistike

Këshilli i Rregullimit të Territorit të Qarkut të Vlorës miraton detyrën e projektimit.  Në 315 Ha do të ndërtohen zona rezidenciale me vila, apartamente banimi, hotele luksoze etj.  Fshati Nartë, rreth 7 kilometra në veriperëndim të Vlorës, pritet të shndërrohet në një projekt të kompanisë amerikano-shqiptare Vista Group.  Këshilli i Rregullimit të Territorit të Qarkut të Vlorës ka miratuar së fundi detyrën e projektimit për shndërrimin e këtij fshati në një zonë turistike.  Kjo do të pasohet nga hartimi i projektit të detajuar, që duhet të realizohet brenda një periudhe një mujore, për të vazhduar me procedurat e tjera ligjore, që i paraprijnë fillimit të punimeve në terren.  Investimi i pritshëm në bregdetin e Nartës u cilësua në mbledhjen e KRRT së qarkut si pararendës i zhvillimit turistik në këtë zonë, në përputhje me standartet bashkëkohore të ndërtimit dhe turizmit.

Projekti i kompanisë amerikano-shqiptare Vista Group që do të investojë në këtë zonë, hartuar nga një grup specialishtësh mjedisorë, navalë dhe arkitektë amerikanë, spanjollë e shqiptarë, parashikon ndërtimin e një qyteti në një sipërfaqe të përgithshme prej 315 hektarësh.  Në këtë sipëerfaqe do të përfshihen zona rezidenciale me vila, apartamente banimi, komplekse shërbimesh, hotele luksoze etj.  Këto do të jenë të gërshetuara me elemente të tjera, ku veçohen ndërtimi i rrugëve ujore të komunikimit, një port jahtesh me kapacitet 800 - 1.000 mjete të tilla lundruese, një fushë golfi e standardeve ndërkombëtare, parqe të gjelbra dhe ishuj ujorë që do të ndikojnë në përmirësimin e parametrave ekologjikë të zonës.

 

 

See Article in English

Qyteza do të ketë dy hyrje-dalje, që do të lidhen me autostradën Fier-Vlorë në proces ndërtimi.  Komunikimet me detin dhe lagunën e Nartës do të realizohen përmes dy kanaleve të mëdhenj, që do të përmerësojën raportin e këmbimit të ujërave, florën dhe faunën.  Projektuesit synojnë konkretizimin e një qyteti ujor, të profilit të një "Venecia moderne".

Kompania Vista Group ka blerë një sipërfaqe prej rreth 3 milionë metër katrorë, në pjesën lindore të lagunës së Nartës, dhe synon të konkretizojë një qytet turistik, në përputhje me të gjitha parametrat e miratuara nga BE-ja në këtë fushë. Vista Group është një kompani amerikano-shqiptare që operon në fushën e ndertimit, në partneritet me investitorë spanjollë e shqiptarë.  Pas një përvoje pune 3-vjeçare në Shqipëri, ajo prezantohet në Vlorë me këte projekt, që ka një kosto financiare prej 1,5 miliardë eurosh dhe që do të kërkojë një periudhë zbatimi disavjeçare.  Projekt është mbështetur nga të gjitha nivelet lokale të vendimmarjes, duke përfshirë edhe komunën Qendër, që administron territorin ku do të ngrihet qyteti, e cila miratoi pak muaj më parë detyrën e projektimit.